Kulturë

Lila Skarveli – mikja e skenës kulturore të Kosovës

Për Lila Skarvelin, projekti “Kultura për të gjithë” u shndërrua në mision për ngritjen e mbështetjen e artistëve të Kosovës e të prezantimit të punës së tyre edhe jashtë vendit
 

Në Kosovë erdhi me mision, e me qasjen e saj sikur e zbërtheu në esencë emrin e projektit që menaxhoi: “Kultura për të gjithë”. Por, Lila Skarveli – e cila vdiq në Paris në moshën 56-vjeçare – nuk qe një zyrtare a udhëheqëse e zakonshme projekti. Ajo e adhuronte atë që bënte, i adhuronte ata që e donin kulturën me gjithë zemër, ishte aty kur artistët përpiqeshin përnjëmend. U ndihmonte kur s’ia dilnin dot. Shpejt u bë mike e skenës kulturore të Kosovës, veçmas e Baletit Kombëtar të Kosovës që e konsideronte si familje të veten

“Baleti i Kosovës, familja ime” do të shprehej Lila Skarveli në shkrimin e saj që u publikua në monografinë e baletit “Këmbë” e publikuar me rastin e 45-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Të martën, kur balerinët e kuptuan se ajo ka vdekur, e nderuan, ashtu siç do ta kishin bërë për çdo anëtar të kësaj familjeje të madhe. Mes lotësh e tingujve të lehtë të muzikës, e duke ngushëlluar njëri-tjetrin, balerinët e BKK-së, në shenjë nderimi ndezën qirinj në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Atyre iu bashkuan edhe miqtë e tjerë që kishin njohur Skarvelin dhe të tillë që e nderuan punën e saj dhe angazhimin për kulturën në Kosovë. Por Skarveli s’u bë vetëm pjesë e familjes së baletit. Ajo për shumë vjet ishte mike e skenës kulturore të Kosovës.