Kulturë

“DokuFest” me mozaik prej 20 filmash për historinë e dy dekadave

Skenë nga filmi i shkurtër “Sun Dog” i Dorian Jespers, njëri prej filmave në programin “20 FOR 20: REPLAY”
 

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka bërë të ditur filmat që janë pjesë e programit “20 FOR 20: REPLAY”, i përbërë nga 20 filma që janë shfaqur në “DokuFest” gjatë 19 edicioneve të kaluara. “Për të mos thënë 20 filmat më të mirë, por më tepër filma që disi përcaktojnë shijen dhe praktikën kuratoriale të ekipit programues të ‘DokuFestit”, është përshkrimi që ia ka bërë ekipi programit të veçantë që sjell në edicionin jubilar

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka zbuluar vetëm një pjesë të asaj që do t’i ofrohet publikut në edicionin e sivjetmë. “20 FOR 20: REPLAY” është titulli i programit kurues që në njëfarë forme sjell historinë e festivalit e frymën e tij.

“’DokuFest’ ka kënaqësinë të shpallë programin e parë të filmave nga një seri programesh të kuruara, posaçërisht për edicionin e tij të 20-të, jubilar, me titull ‘20 FOR 20: REPLAY’, i përbërë nga 20 filma që janë shfaqur në ‘DokuFest’ në këto vitet e fundit”, është shkruar në komunikatën për media.