Kulturë

Si u bë “lavirja bizantine” Stamboll modern

Foto: thetravelclub

Në librin “Mesnatë në Pera Palace. Lindja e Stambollit modern” historiani amerikan Charles King hap para lexuesit një panoramë të mrekullueshme të kapërcimit të Stambollit nga periudha osmane në modernizëm. Në këtë libër s’mungon as historia e famshme e spiunit shqiptar Iljaz Bazna.

 

Në librin “Mesnatë në Pera Palace. Lindja e Stambollit modern” historiani amerikan Charles King hap para lexuesit një panoramë të mrekullueshme të kapërcimit të Stambollit nga periudha osmane në modernizëm. Në këtë libër s’mungon as historia e famshme e spiunit shqiptar Iljaz Bazna.

Ka shumë libra për Stambollin. Ka shumë vepra për lagjet e Stambollit, për historinë e qytetit në epokën bizantine, osmane, postosmane. Në disa libra trajtohet bashkëjetesa e besimtarëve të ndryshëm në këtë megametropol, në libra të tjerë rëndësia e Stambolli si qendër ekonomike e Turqisë dhe rajonit. Shkrimtari i famshëm Orhan Pamuk në kujtimet e tij për qytetin e lindjes zbulon fshehtësinë e familjes, e afron lexuesin te monumentet dhe ndërtesat grandioze, përshkruan vilat e bukura osmane buzë Bosforit, rrugicat në qytetin e vjetër, dashuritë e mëdha dhe dhembjet e rënda.

Por të gjitha këto libra do t’i harroni kur të lexoni “Mesnatë në Pera Palace. Lindja e Stambollit modern” të historianit amerikan Charles King. Qasja origjinale (King e përshkruan Stambollin duke përdorur si pikënisje hotelin e famshëm Pera Palace), gjuha elegante, njohuritë e gjithanshme mbi historinë e qytetit, përshkrimi i vizitorëve të njohur – të gjitha këto e bëjnë veprën e Charles King të pazëvendësueshme. King hap para lexuesit një panoramë të mrekullueshme të kapërcimit të Stambollit nga periudha osmane në modernizëm. Duke lexuar këtë libër autori mund të duket si një ëndërrimtar, i cili s’di të ndalet së përshkruari dhe synon të përfshijë krejt begatitë e qytetit. Pastaj ai kthehet sërish në Pera Palace, në këtë hotel që shërbente si qendër e spiunëve, gjeneralëve britanikë, shkrimtarëve, tregtarëve të armëve, udhëtarëve të Orientit.