Kulturë

Rrobaqepësi i Çarshisë së Madhe ruan traditën e tre brezave

“Deri të më rrahë damari i fundit i gishtit nuk do t’i lëshoj gërshërët prej dore, sepse nuk kam rrugë tjetër...”, thotë rrobaqepësi Hilmi Bunjaku në dyqanin e tij në Çarshinë e Madhe

Me ritmin e tij të punës, ka vendosur që të mos heqë dorë nga tradita familjare. Hilmi Bunjaku i takon gjeneratës së tretë që e vazhdon zanatin. Puna e përditshme e tij brenda dyqanit prej druri, është përtej përditshmërisë. Është ruajtje e trashëgimisë materiale, e kujtimet janë trashëgimi shpirtërore

 

Me ritmin e tij të punës, ka vendosur që të mos heqë dorë nga tradita familjare. Hilmi Bunjaku i takon gjeneratës së tretë që e vazhdon zanatin. Puna e përditshme e tij brenda dyqanit prej druri, është përtej përditshmërisë. Është ruajtje e trashëgimisë materiale, e kujtimet janë trashëgimi shpirtërore

Kur bie qetësia, dëgjohet paksa zhurma e makinës së qepjes së Hilmi Bunjakut, në qendër të Çarshisë së Madhe në Gjakovë. Bunjaku s’ia heq sytë punës. Zallahia që krijohet nga kafenetë jashtë nuk i bën përshtypje, por i mungojnë kolegët që dikur punonin afër tij. Ai me ritmin e tij të punës, ka vendosur që të mos heqë dorë nga tradita familjare. I takon gjeneratës së tretë që e vazhdon zanatin. Puna e përditshme e tij brenda dyqanit prej druri, është e prezantuar në uniformat shumëngjyrëshe që janë të varura jashtë dhe në vitrina dyqanit. Dominojnë uniformat e bardha të cilat i punon për punonjësit shëndetësorë. Përmes qepjes përpiqet që t’i bëjë që kushdo që i vesh veshjet e punuara prej tij të ndihet rehat. Puna e tij e mbështetur në zanatin e të parëve përthekon gati shtatë dekada pranë makinës së qepjes. Për këtë thotë se nuk kishte rrugë tjetër. Puna e tij në të kaluarën lidhet me punën e përbashkët me babanë e vëllezërit, por thotë se këtë zanat nuk ia kanë trashëguar edhe djemtë që ushtrojnë profesione të tjera.

“Gjyshi e ka pasur këtë zanat, atëherë kanë qepur tezëllëk që janë jelek për femra për hasjanet. Të gjitha janë punuar me dorë dhe më pas kemi filluar të punojmë pantallona të zhgunit, material i cili është shumë i zorshëm të punohet me të. Më pas kemi kaluar në shajak dhe vazhdimisht kemi bërë ndryshime sipas kohës”, ka shpjeguar artizani 77-vjeçar.