Kulturë

Strauss – prologu i kthimit të Shqipërisë kah Gjermania

Në njoftimin e DPA-së, të afishuar në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se vizita e Straussit ishte paraqitur thjesht si e natyrës private, ku Shqipëria ishte rrugë kalimi nga Jugosllavia për në Greqi. Me këtë rast, kryeministrit bavarez iu desh të zgjaste me një ditë qëndrimin e tij në Shqipëri për t’u takuar me një prej funksionarëve të shtetit shqiptar
 

Shkëputja e Shqipërisë nga orbita sovjetike kishte krijuar potencialin që të rivihej lidhja me Perëndimin. Ndonëse politika e jashtme shqiptare kishte qenë më e zëshmja që kishte përkrahur bashkimin e dy Gjermanive, Tirana zyrtare dhe Boni ende ngurronin për t’iu qasur njëri-tjetrës. Por vizita dyditore e kryeministrit bavarez, Franz Josef Strauss, në Shqipëri theu akullin. 37 vjet më parë, politikani i njohur gjerman vizitoi vendin që deri në atë kohë ishte më i izoluari në të gjithë botën komuniste

“Populli shqiptar ka respekt dhe simpati për popullin gjerman, si një popull me kulturë të madhe dhe të lashtë, me talent, një popull krijues, me të cilin dëshirojmë që të kemi lidhje të mirë”. Sipas dokumenteve arkivore, kjo kishte qenë përgjigjja zyrtare e Shqipërisë komuniste në të parin kontakt me Perëndimin.

37 vjet më parë, Republika Federale Gjermane, duke ndjekur “ostpolitikën” e saj, po përpiqej të vendoste marrëdhënie diplomatike me vendet e Evropës Lindore. Përkrahja që Tirana zyrtare i jepte bashkimit të dy Gjermanive kishte krijuar sakaq një momentum të mirë për të provuar një afrim që e kapërcente “perden e hekurt”.