Kulturë

“Zemra e Sarajevës” – Kosova me sukses të trefishtë

Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e Kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit - kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”
 

Festivali i Filmit në Sarajevë – si më i madhi eveniment i botës kinematografike në Evropën Juglindore – është bërë logu ku kineastët nga Kosova po laureohen me çmime. Duke përsëdytur suksesin e vitit të kaluar, “Zemrën e Sarajevës për aktoren më të mirë” e kanë rrëmbyer tri aktore: Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani, që ishin pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e Kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit. Me përmendje të veçantë nga juritë e festivalit kanë kaluar edhe dy filmat e tjerë “Në kërkim të Venerës,” nën regjinë e Norika Sefës dhe “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës. Kështu, tre filmat nga Kosova, që ishin përzgjedhur në mesin e 683 aplikimeve nga mbarë bota, e kanë imponuar vendin tonë si potencial kinematografik

“Vala e re” e kinemasë së Kosovës e ka vulosur namin edhe me një tjetër triumf. Tri prodhimet kineaste të Kosovës që kanë marrë pjesë në konkurrencë zyrtare të Festivalit të Filmit në Sarajevë – “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” – ia kanë dalë të shkëpusin ndër çmimet kryesore të evenimentit të njohur të filmit.

Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit - kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.