Kulturë

Shqipja në nyjëtimin gjuhësor të “Sprachbundit” ballkanik

“Unioni gjuhësor ballkanik përballë diversitetit të idiomave”, ka qenë tema e ligjëratës që akademik Rexhep Ismajli ka shpalosur të premten në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Termi “ballkanizma”, përtej asocimit për stereotipa, përshkon një fushë të ndërliqshme të leksikut e fonetikës që përbashkon gjuhët kryesore në Ballkan. Duke përfaqësuar vijimësinë e njërës prej idiomave të vjetërsisë, ilirishtes ose ndonjë tjetër të përafërt, shqipja përshfaq afri tiparesh me rumanishten dhe bullgarishten. Diskutimi për lidhjet me rumanishten filloi qysh me suedezin Thunmann, ku shqipja shihej si bijë e ilirishtes, kurse rumanishtja e thrakishtes. Por me shfaqjen e konceptit të “sprachbundit”, ose lidhjes gjuhësore ballkanike, gjuhëtarët kishin nisur të bënin pyetje të tilla se përse toskërishtja shfaqej më ballkanike në tipare sesa simotra e saj, gegnishtja; madje pyetjet si këto lindnin hamendje nëse toskërishtja në një stad të caktuar historik ishte folur në fqinjëri me rumanishten. Krejt ecejaket e teorive gjuhësore për afritë mes gjuhëve në Ballkan janë shkoqitur të premten në ligjëratën e akademikut dhe gjuhëtarit, Rexhep Ismajli, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Si një nga gjuhët qendrore të Ballkanit, shqipja u bë pikënisja për të qëmtuar ngjashmëri edhe te gjuhë që nuk janë të familjes së saj. Ishte ende fundi i shekullit të 18-të kur gjuhëtari e historiani suedez, Johann Erich Thunmann, do të hetonte për të parën herë ngjashmëri mes shqipes dhe vllahishtes, të cilat mund t’i shpjegonte vetëm si rrjedhojë e të qenët vijuese të idiomave të qëmoçme ballkanike, ilirishtes dhe thrakishtes përkatësisht. Nga ajo kohë “shumë ujë do të rridhte nën urë”, dhe dija gjuhësore do të pasurohej me koncepte, nocione e këndvështrime të reja.

Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, gjuhëtarë seriozë do të flisnin gjithnjë e më shpesh për “Sprachbundin” apo bashkësinë gjuhësore ballkanike.