Kulturë

Mandalà dëshmon praninë e fiseve arbëreshe në Istria që në vitin 1499

“‘L’immigrazione albanese in Istria (secoli XV-XVIII)’ ndjek vijën e identitetit kulturor të një dege të emigracionit të arbëreshëve të Istrias, që gjendet në një gadishull midis Kroacisë dhe Sllovenisë”, shkruhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për librin e studiuesit arbëresh, Matteo Mandalà
 

Qasja e studimit “Emigracioni arbëresh në Istria – shekujt XV-XVIII”, sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është multidisiplinare dhe nuk injoron asnjë aspekt historik të këtij emigrimi, në veçanti atë statistikor, ekonomik, demografik dhe social, duke kombinuar aspekte të ndryshme që përcaktojnë tiparet e një shoqërie multietnike gjatë shekujve. “Sipas këtij libri, që në vitin 1499 dëshmohet prania e fiseve arbëreshe”, shkruhet në njoftim, duke theksuar se kërkimet e Matteo Mandalàs “kanë rezultuar me një punë të shkëlqyer dhe emocionuese në faqet e këtij libri”

Studiuesi arbëresh akademik Matteo Mandalà, “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV-XVIII), ndjek vijën e identitetit kulturor të një dege të emigracionit të arbëreshëve të Istrias, dhe konstaton se prania e fiseve arbëreshe dëshmohet që në vitin 1499. Për librin e tij të fundit Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në një njoftim për shtyp të hënën, ka shkruar se Mandalà i shtyrë nga dëshira për të kuptuar lidhjet shkakësore që karakterizojnë natyrën komplekse të historisë së emigrimit të popujve të Ballkanit, në veçanti të shqiptarëve, ka kryer kërkime të thelluara në arkivat civile dhe kishtare në dekadat e fundit.

“Si filolog, Mandalà është në kërkim të episodeve të shpeshta që kanë ndodhur në historinë e trazuar të popullit shqiptar, duke hedhur poshtë vizionin romantik të historisë së emigrimit të arbëreshëve, të mbështetur shpesh nga falsifikime të dukshme dhe thjeshtime të fakteve historike”, shkruhet në njoftimin për librin.