Kulturë

Studiuesit bashkohen për t’i “peshuar” hulumtimet për arbëreshët

Kjo ngjarje e organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në kuadër të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët, bëri bashkë emrat më autoritarë të studimeve mbi këtë lëmi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia
 

Të hënën, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nisi dita e parë e Kuvendit të Studimeve Arbëreshe me temë: “Gjendja aktuale e studimeve mbi arbëreshët”. Kjo ngjarje e organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në kuadër të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët, bëri bashkë emrat më autoritarë të studimeve mbi këtë lëmi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia.

Po ashtu, merrnin pjesë edhe përfaqësues zyrtarë të institucioneve të ndryshme shkencore, arsimore, kulturore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Diana Kastrati, e cila pasi falënderoi të pranishmit, theksoi se kjo qendër erdhi si një erë e freskët në mjedisin akademik, duke sjellë mendësi të reja, duke shprishur disa komoditete të stanjizuara, por gjithmonë duke i qëndruar me objektivitet interpretues së kaluarës, sepse pa rrënjë ne nuk jemi të lirë.