Kulturë

Qendra Kinematografike e Kosovës në pritje të projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur konkursin e sivjetmë, pavarësisht borxheve prej 1.8 milionë eurove
 

Qendra Kinematografike e Kosovës është vënë në kërkim të projekteve kinematografike. Për këtë edhe ka hapur konkursin vjetor për subvencionim të projekteve filmike në tetë kategori. Institucioni më i lartë kinematografik në vend, në total ka buxhet prej 988 mijë eurove, kurse vetëm për subvencione dhe transfere ka 924 mijë euro.

Konkursi vjetor që do të jetë i hapur deri me 28 tetor do të përkrahë filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistikë e dokumentarë, filma të shkurtër dhe të gjatë të animuar, filma debutues të metrazhit të gjatë artistik, kooproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik dhe projekte për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë. Sipas konkursit, aplikimi bëhet online nëpërmjet faqes zyrtare të Qendrës Kinematografike të Kosovës.