Kulturë

Zharku: Pozita në Qendrën Kinematografike më solli armiq, sulmet ndaj meje me agjendë

Arben Zharku pretendon se muajve të fundit Ministria e Kulturës e ka dëmtuar shumë. Ka rrëfyer se ishte marrë vesh me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, se në rast të rekomandimit negativ do të jepte dorëheqje. Por, sipas tij, më pas nuk i ishte dhënë mundësia. “As ministri e as Ministria s’bën të bëhen pjesë e një loje ose sulmeve me agjendë personale”, ka thënë ai
 

Ani pse synon që mandatin e dytë si drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ta çojë deri në fund, deri në marsin e vitit që vjen, Arben Zharku krejt episodin e dy muajve të fundit me pezullim, shkarkim, rikthim e sërish masa disiplinore, e përshkruan edhe si një betejë sulmesh ndaj tij prej atyre që këtë e kanë agjendë personale. “As ministri e as Ministria s’bën të bëhen pjesë e një loje ose sulmeve me agjendë personale”, thotë Zharku duke aluduar në anëtarët e Këshillit Drejtues të QKK-së. Thotë se si aktor e producent nuk mund të punojë pasi gjatë dy mandateve ka krijuar shumë armiq ngase jo krejt projektet kanë mundur të përkrahen nga QKK-ja. Mohon ta ketë futur institucionin në borxhe prej 1,8 milionë eurosh, rendit sukseset që ka arritur dhe përmend largimin prej vendit si opsion që i sillet ndër mend

Beteja midis Ministrisë së Kulturës dhe Arben Zharkut do të vazhdojë. Përderisa sipas Ministrisë ai ka bërë disa shkelje ligjore për të cilat duhet të shkarkohet, Zharku synon që mandatin e dytë si drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ta çojë deri në fund, deri në marsin e vitit që vjen.

Janë 1.8 milionë euro borxhe të QKK-së, financim i një projekti jashtëligjshëm, mosarkëtimi i mjeteve nga fitimi i filmave, ato që Komisioni Disiplinor i ka marrë për bazë për ta “përjashtuar nga shërbimi civil”. Por, Komisioni i Ankesave e ka kthyer si drejtor duke konstatuar se ata që kanë kontrolluar “disiplinën” e Zharkut nuk kanë pasur të drejtë ta shkarkojnë, por t’i rekomandojnë shkarkim ministrit të Kulturës. Pos kësaj, ata që trajtuan ankesën e Zharkut kanë konstatuar se Komisioni Disiplinor është vonuar në afat kohor derisa ka nxjerrë vendimin.