Ekspozita e titullar “Naked Eye” paraqet një term me po të njëjtin emër i cili tregon vizionin pa ndihmë të mjeteve si teleskopi apo mikroskopi. Një sy i zhveshur që sheh qartë atë që ka përpara, duke “theksuar” perceptimin e botës dhe se si gjërat ndryshojnë gjatë ditëve, stinëve dhe viteve
E këtë, artistja e re Qëndresa Krasniqi e bën nëpërmjet 11 pikturave, të bëra bashkë në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma në “Kult Plus gallery”.
Publiku u mirëprit me një koktej dhe fjalë rasti nga artistja, e cila tregoi për punën e saj dhe atë që e inspiron. Ajo zbërthen një koncept që intrigon publikun dhe ngre një mori pyetjesh.
Artistja ka treguar se inspirimi i saj rrjedh nga interesimi që ka për galaktikën dhe historitë që fshihen pas saj. Qoftë një yll apo meteor, ajo thotë se secili ka një histori më vete dhe se po “shpërthejnë” për t’i treguar.
“Inspirimi im për realizmin e këtyre pikturave vjen nga e panjohura e galaktikës. Duke shikuar dhe duke i kushtuar më shumë vëmendje asaj që ne kemi përreth, ne vërejmë gjëra që ndoshta nuk i kemi vërejtur më parë. Kështu e shoh unë galaktikën. Një hapësirë e bukur e mbushur plot yje dhe histori në pritje për të shpërthyer”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.
Një përfaqësim i bukur i galaktikës përmes akrilikut në pëlhurë me një përzierje dhe shpërthim të veçantë ngjyrash. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 20 tetor në “Kult Plus Gallery”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.