Kulturë

Shija e traditës

Fjala “bukë”, edhe sot ka përdorim mjaft të gjerë, si sinonim i ushqimit për njeriun, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri e gjetiu ku jetojnë shqiptarët. Edhe atëherë kur në vend të “bukës” në tryezë shtrohet flija
 

Jo pak restorante moderne, pjesën më të fortë të menysë i kanë recetat e gatimeve të moçme. Kuzhina tradicionale është rikthyer furishëm. Për jo pak gastronomë, qytetarët e Kosovës provuan shumë shije të reja të recetave të importuara, porse ushqimet tradicionale po u mbijetojnë gatesave të huaja. Aty mbijeton shija e traditës, gjëllin kujtesa për të kaluarën

“Bukë e krypë e zemër!” – është shprehja e shqiptarit edhe kur hallligsht ia hap derën të njohurit e të panjohurit.

Në fakt, ekziston një etikë e tërë e marrëdhënieve buknore te shqiptarët që drejtpërdrejt lidhet me marrëdhëniet e tjera shoqërore, shkruan antropologu Arsim Canolli në vrojtimin e tij etnografik, “Flija”. Ligjëruesi i Universitetit të Prishtinës shkruan se mjafton të kujtohen shprehjet “Në bukë teme”, “Ka dhanë bukë”, “Nuk është bukëpërmys”, “S’na lëshoi pa bukë”, “Na priti me bukë”, apo “Buka jote të vret”, për ta argumentuar lidhjen e nyjshme të shqiptarëve me bukën.