Kulturë

Shtëpia e Dritëro Agollit do të shndërrohet në muze

“Projekti ynë i parë do të jetë puna për të kthyer shtëpinë e Dritëro Agollit në një shtëpi-muze”, ka thënë të martën kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me dekanin e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi
 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nënshkruar të martën një memorandum bashkëpunimi me dekanin e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi, si fillim i bashkëpunimit për projektin e shtëpisë së Dritëro Agollit dhe në kuadër të Paktit për Universitetin. Ai ka sqaruar se do të bashkëpunojë me Fakultetin e Histori-Filologjisë edhe për dy shtëpi të tjera muze që do të bëhen, si “Sarajet e Toptanasve” dhe Shtëpisë së Libohovitëve.

“Projekti ynë i parë do të jetë puna për të kthyer shtëpinë e Dritëro Agollit në një shtëpi-muze. Bashkia e Tiranës e ka nisur një eksperiment të tillë shumë të suksesshëm me shtëpinë Kadare, do të vazhdojmë tani me shtëpinë e Dritëro Agollit. Ndërkohë që do vijojmë edhe me dy shtëpi të tjera muze, si Sarajet dhe shtëpinë e Libohovitëve. Njëra do të adaptohet si zonë muzeale, duke qenë se ka qenë edhe Ambasada e parë e SHBA-së në Shqipëri”, ka nënvizuar Veliaj, raportojnë mediat në Shqipëri.