1 perditesime
14:17

Hiqet reklama nga murali i Nexhmije Pagarushës

Është hequr reklama e vendosur mbi muralin e Nexhmije Pagarushës të shtunën në mesditë në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë parë Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe Policia.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka njoftuar se kompania e cila ka vendosur reklamën është gjobitur me 400 euro.

“Uroj që të ngritet vetëdija e secilit, e të mos përsëriten më raste të tilla”, ka thënë ai.

Redaktori i programit në Radio-Kosovë, Azem Bujupi, është pala e gjobitur në këtë rast. Bujupi ka qenë i vetmi banor që i kishte nxjerrë probleme “MuralFestit” për vendosjen e muralit, pati bërë të ditur Lebibe Topalli, udhëheqëse e organizatës. Ajo pati thënë, në kohën kur ishte nisur vendosja e muralit, se ish-drejtori i Radio-Kosovës, pos që s’kishte dhënë pëlqim, kishte paralajmëruar se murali do të mbulohet.

Por “MuralFesti” posedon edhe pëlqimin e Komunës së Prishtinës.

12:58

Vendoset reklamë mbi muralin e Nexhmije Pagarushës në Prishtinë, Komuna thotë se do ta heqë

Image

Reklama e një biznesi është vendosur mbi muralin e Nexhmije Pagarushës, vetëm një muaj pasi ky mural u vendos në qendër të Prishtinës.

Fotografitë e publikuara nga drejtoresha ekzekutive e “MuralFest Kosova”, Lebibe Topalli, tregojnë procesin e vendosjes së një reklame “VIP” mbi muralin. Ajo është shprehur e tronditur me këtë ndërsa ka thënë shkurt se është pa koment.

Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se janë njoftuar për rastin e se Inspektorati është duke shkuar në vendin e ngjarjes.

“E kemi marrë menjëherë lajmin për vendosjen e reklamës mbi muralin e Nexhmije Pagarushës dhe e kemi lajmëruar Drejtorinë e Inspektoratit, dhe Drejtoria e Inspektoratit po shkon në vendin e ngjarjes”, ka thënë për KOHËN, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

“Është e pabesueshme dhe e tmerrshme”, ka thënë ai në një lidhje në Facebook teksa ka shtuar se beson që brenda ditës kjo reklamë do të largohet.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për KOHËN se reklama mbi muralin e Nexhmije Pagarushës do të largohet dhe se pala që e ka vendosur do të gjobitet.

Më 12 nëntor, murali i këngëtares Nexhmije Pagarusha u inaugurua në qendër të Prishtinës. Ishte artistja spanjolle Alba Fabre që arriti ta përfundonte portretin e përzgjedhur për Pagarushën.

Portreti ishte kur Pagarusha ishte në kulm të karrierës së saj.