Kulturë

Opozita në Shqipëri do ligj që ndalon filmat glorifikues të diktaturës

Një ngjarje e organizuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, qe ajo e cila rindezi debatin nëse mund të rikthehen veprat e kohës së diktaturës. TKSH-ja me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit vendosi të lexojë online në Facebook edhe pjesë nga “Prefekti” i Besim Levonjës, një komedi e inskenuar në kohën e regjimit
 

Anëtarja e Komisionit të Medias në Shqipëri dhe deputete e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka propozuar të mërkurën ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që glorifikojnë diktaturën komuniste.

“Ne kemi përgjegjësinë të ndikojmë në edukimin e brezave të rinj dhe të marrim një pikënisje nga kjo ngjarje, nga debatet që kanë lindur në rrjetet sociale, në opinionin publik, në media për shfaqjen e programuar të ‘Prefektit’ në Teatrin Kombëtar, për të rihapur edhe një herë jo vetëm diskutimin, por edhe mendimin institucional dhe ligjor për një projektligj që personalisht do ta mbështes, i cili ndalon shfaqjen e filmave në televizionet publike, në televizione të paguara nga taksat e qytetarëve, të atyre filmave që do të cilësohen të ndaluar nga profesionistë, si filma të propagandës komuniste dhe instrumente të diktaturës”, citohet të ketë thënë Zhupa. Sipas saj, kinemaja ka qenë “një instrument i propagandës komuniste dhe është përdorur për të mbajtur dhe atë, pushtetin e butë, ndërkohë nga ana tjetër ishte mizoria e një diktatori”.