Kulturë

Luois Henderson i kundërpërgjigjet kaosit ekologjik me art që riciklon

Luois Henderson në bashkëbisedim me kuratorin Engjëll Berisha ka vënë në pah pasionin e tij për të krijuar vepra nga materiale të riciklueshme. E bën këtë për ta treguar kaosin ekologjik në të cilin është kapërthyer planeti
 

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës po vazhdojnë diskutimet me artistë të ndryshëm. Të enjten i ftuar ishte artisti britanik, Luois Henderson, i cili shpalosi detaje për veprën e tij “All That is Solid”, e cila është e shfaqur në ekspozitën “Smogu i madh i vitit 2021”. Po ashtu, ai ka diskutuar edhe për dokumentarin e tij “Ouvertures”, që zbërthen qasjen e tij të veçantë kinematografike.

“Smogu i madh i vitit 2021”, e hapur më 8 nëntor në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e kuruar nga Engjëll Berisha godet ndryshimet klimatike. Është e ndarë në dysh. Nimon Loka dhe Blerta Hashani në një anë paraqesin natyrën e pastër, në tjetrën veprat e artistëve britanikë Ben Rivers, Charlotte Prodger, Uriel Orlow dhe Louis Henderson nëpërmjet videove “shëtitin” vizitorët nëpër tmerrin ekologjik që është duke shkaktuar ngrohja globale. Duket se tatëpjeta që ka marrë ndotja e ambientit nuk ka të ndalur.