Kulturë

Kroacia fitoi prej “Game of Thrones” 181 milionë euro

Producentët e serisë “Game of Thrones” kanë shfrytëzuar programin kroat që mundëson kthimin e mjeteve të shpenzuara gjatë kohës së xhirimeve në Kroaci (Foto: AP)
 

Turizmi kinematografik i lidhur për serinë super të njohur të HBO-së “Game of Thrones” – xhirimi i së cilës para dhjetë vjetësh u shtri edhe në Dubrovnik e në vende të tjera nëpër Dalmaci – ekonomisë së Kroacisë prej vitit 2013 deri më 2018 i ka sjellë të hyra prej 180.7 milionë euro, gjegjësisht 30.1 milionë euro në vit. Të dhënat kanë dalë prej studimit të Martina Vukashinit dhe Mirela Brechelmacherit të botuar në revistën shkencore “Oeconomica Jadertina”, botues i së cilës është Universiteti i Zarës.

Xhirimi i këtij seriali u dha hov ofertave të ndryshme nga agjenci të shumta kroate e të huaja, të cilat ofrojnë vizita nëpër vende që u bënë shesh-xhirimi kryesisht në Dubrovnik. “Game of Thrones” në sezonin e katërt theu rekord tek arriti në 18.4 milionë shikues për episod. Ueb-faqja “BuzzFeed”, e cila ka mbi 80 milionë vizitorë në muaj, e ka ranguar Dubrovnikun në mesin e 18 destinacioneve më popullore në atë të quhet turizëm i filmit.