Veprat e Banskyit janë kthyer në mure ose të paktën kopjet e tyre janë kthyer. Vepra të artistit janë rikrijuar nga artistë të rinj evropianë dhe janë vendosur në mure për të imituar origjinalin e tyre. Mbi 130 riprodhime të veprave të artistit britanik janë ekspozuar brenda stacionit qendror të trenit të Milanos. Dhe ndryshe nga ekspozitat tradicionale, disa nga veprat shfaqen në mure posaçërisht për këtë rast.
I famshëm për trajtimin me ironi të çështjeve politike dhe për kritika shoqërore, arti i Banksyit është rikrijuar në madhësinë dhe pamjen e tij origjinale për një përvojë gjithëpërfshirëse, brenda stacionit qendror të trenit të Milanos.
“Ajo që ne u përpoqëm të bënim është të lejojmë vizitorët të zbulojnë veprat e artistit në një kontekst më gjeografik, domethënë nga vendi në vend, nga qyteti në qytet. Ne i lejojmë ata të zbulojnë veprat e tij, pothuajse identike me origjinalet”, ka thënë Manu De. Ros, kurator i ekspozitës “Bota e Banksyit – Përvoja gjithëpërfshirëse”.
“Ne nuk po flasim vetëm për rikrijimin e shablloneve në përmasat e tyre origjinale, por edhe për rikrijimin e mureve në të cilat Banksy ka pikturuar në të vërtetë. Kur ishte një mur me tulla, ne bënim një mur me tulla, kur ai është një mur çimentoje bënim një mur çimentoje, kur muret janë të pista nga koha dhe ndotja, ne i bëmë pis me efekte speciale. Në të vërtetë ka të bëjë me përfshirjen e vizitorëve dhe për t’u dhënë atyre një mundësi për të qenë i përfshirë në botën e artistit përmes këtij udhëtimi tematik dhe gjeografik”.
Në të vërtetë, edhe nëse Banksy denoncon ndotjen në “Season's Greetings”, fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu në “The Umbrella Girl”, apo edhe bën thirrje për veprim kundër thatësirës në “Washing Zebra Stripes”, duke i parë muralet që kanë një ndikim të fuqishëm.
Kuratorët u kërkuan artistëve të rrugës dhe studentëve të artit që të ndihmonin në riprodhimin e disa prej veprave më të famshme të artistit.
“Kam përdorur dhe kam besuar të dy llojet e artistëve të rrugës, disa të specializuar në grafite, dhe artistë të tjerë që realizojnë vepra më piktoreske, sepse disa vepra ishin si rikrijimi i pikturave dhe së bashku ne bëmë edhe veprat e artistit, por edhe prapavijën e tyre. Po ashtu na ndihmuan edhe disa student nga Akademia e Breras e që ishin shumë të mirë përkundër moshës së tyre të re”, ka thënë De Ros. Edhe disa kopje të veprave me të reja të artistit janë ekspozuar gjithashtu në Itali për herë të parë.
Këto përfshijnë "Aachoo!!", e cila paraqet një grua më të vjetër, pa maskë, që teshtin dhe rrëzon protezat e saj, ndoshta një pamje komike për pandeminë.
Gjithashtu për herë të parë në Itali "Steve Jobs", një vepër pjesë e pikturuar pranë xhunglës Calais, ku jetojnë emigrantët që kërkojnë të arrijnë në Angli. Banksy postoi një foto të saj në faqen e tij të internetit me mbishkrimin “Djali i një emigranti nga Siria”. Pjesa e Steve Jobs ka disa vrima që i lejojnë vizitorët të shohin interpretimin e tij të "Raft of the Medusa", nga piktori francez i shekullit të 19-të, Theodore Gericault.
“Ne shohim pjesë shumë të vjetra si muralet e tij të para si ‘The Mild Mild West’, i cili ishte me të vërtetë një nga të parët, deri tek Oscar Wilde, i cili po arratiset nga burgu në ‘Create Escape’”, ka thënë De Ros.
Veprat e ekspozuara i japin shikuesit mundësinë të reflektojë mbi sistemin dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Vizitorëve u jepet gjithashtu një shans për të zhytur brenda shumë botëve të ndryshme të Banksy. Nga Anglia në Francë, nga Shtetet e Bashkuara në murin e Betlehemit, ku Banksy krijoi nëntë murale, të gjitha të ekspozuara edhe në këtë ekspozitë. Ekspozita është e paautorizuar, por kuratori vëren se ajo gjithashtu ka qenë e pakundërshtueshme deri më tani.
“Ne e dimë që ekspozitat për Banksy nuk janë të autorizuara nga Banksy, por nga ana tjetër ai nuk i ndalon, nuk i pengon që të zhvillohen, gjë që na bën të mendojmë se ai mund të jetë i kënaqur me punën që kemi bërë. Ai gjithashtu mund të vlerësojë faktin që ne dërgojmë mesazhet që ai dëshiron të dërgojë, dhe ka edhe reputacionin e tij. Ai ndoshta nuk ka nevojë për të gjitha këto ekspozita të Banksy për t'u bërë i njohur dhe për të dërguar mesazhet e tij, por unë mendoj se ekspozitat janë një pjesë e jona, pra ne japim vështrimin tonë ndaj sistemit të tij dhe lëvizjes”, ka thënë De Ros.
E vendosur brenda një galerie në stacionin e trenit të Milanos, ekspozita është e hapur për të gjithë udhëtarët.
“Ky lokacion është shumë i përshtatur, sepse bashkon historinë e stacionit të trenit, një ndërtim shumë i bukur nga një epokë tjetër, por është edhe rrugë, është një vend kalimtar, dhe për këtë ka të bëjë edhe Banksy, një traditë që bashkohet me kohët moderne". “Bota e Banksyit – Përvoja gjithëpërfshirëse” e hapur më 3 dhjetor është e qasshme për publikun deri më 27 shkurt të vitit të ardhshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.