Kulturë

Ministria pishman në 48 orë, çerek milioni për vepra arti në suficit

Grupi prej rreth 20 artistëve, të enjten, ka protestuar para Ministrisë së Kulturës, në kundërshtim të procesit e mënyrës se si ky institucion ka blerë veprat e 68 artistëve. Ministri Hajrulla Çeku para tyre është zotuar se do të rishikohet blerja, e nja dy orë më pas është marrë vendimi për anulimin e krejt procesit

Që Ministria e Kulturës për herë të parë të blejë vepra, ishte pritur pozitivisht nga komuniteti i artistëve pamorë, por kur ka dalë lista e atyre që ka blerë, kanë ndërruar hesapet. Me pompozitet e mburrje e kishte proklamuar MKRS-ja këtë nismë qysh në verën e këtij viti, por dy ditë pas shpalljes së rezultateve, i gjithë procesi të enjten ka rënë në ujë. Fondi prej çerek milioni eurosh rrezikon të shkojë në suficit dhe një gjë të tillë MKRS-ja e ka thënë jozyrtarisht

Procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e ka zhvlerësuar. Për këtë nuk është menduar fort. S’i janë dashur më shumë se 48 orë pasi e ka marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro. E ka anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve të enjten para MKRS-së përderisa debati midis komunitetit artistik tashmë ka shpërthyer. Tre prej tyre kanë qenë me pankarta: njëra për “komisionin e dostave”, tjetra për mungesën e baraspeshës midis çmimit dhe veprës, dhe e treta me thirrjen: “Stop diskriminimit!”

Mënyra se si janë përzgjedhur 68 përfituesit është njëra temë. Shuma me të cilën janë paguar disa prej veprave – që arrin edhe në 7 mijë euro – është tjetra. Vetëm ky anulim – që MKRS-ja e ka marrë pa konsultuar edhe ata të cilëve ua ka ngarkuar punën e vlerësimit të veprave – i kushton buxhetit të shtetit 3 mijë euro. Nga 500 euro u detyrohet anëtarëve të dy jurive. E para mori në shqyrtim 400 vepra sa kanë konkurruar, e dyta dha vlerësimin përfundimtar.