Kulturë

Databaza e monumenteve që kushtoi 210 mijë euro, jashtë funksionit

“Trashegimia.org” është projekti me të cilin synohej promovimi i trashëgimisë kulturore. Kur funksiononte, ofronte informata bazike për 404 monumente, u inaugurua me jo pak mangësi e gabime, por tash është krejt jashtë funksionit

Për ta realizuar projektin janë dashur gjashtë vjet. Kur u lansua më 2014, databaza online e trashëgimisë kulturore doli me shumë pak të dhëna për monumente e shumë gabime. Përditësimi i saj është histori më vete sa u përket vonesave. Por me krejt mangësitë, u bë edhe e paqasshme për publikun.

 

U përurua me goxha bujë, pas akuzave e presioneve se po vonohej gjashtë vjet në konkretizimin e saj. Projekti i databazës së trashëgimisë kulturore “trashegimia.org”, që kushtoi 210 mijë euro, financuar nga Ambasada e Britanisë në Kosovës, e lansuar më 2014, është jashtë funksionit prej nëntorit të vitit 2020. Pas më shumë se një viti, Ministria e Kulturës është kujtuar për të. Ka nënshkruar kontratë për funksionalizimin e saj

Për ta realizuar projektin janë dashur gjashtë vjet. Kur u lansua më 2014, databaza online e trashëgimisë kulturore doli me shumë pak të dhëna për monumente e shumë gabime. Përditësimi i saj është histori më vete sa u përket vonesave. Por me krejt mangësitë, u bë edhe e paqasshme për publikun.

Nëpërmjet një kërkimi të thjesht në “Google” merret vesh se ueb-faqja “trashegimia.org” nuk është në dispozicion. Prej pjesës së fundit të vitit 2020 është jofunksionale. Pas një viti, Ministrisë së Kulturës i ka rënë në mend se i duhet kthyer publikut platforma digjitale, që kushtoi mbi 200 mijë euro. Për këtë ka hapur procedurën e prokurimit në muajin tetor të vitit të kaluar. Ka ndjekur procedurën e “kuotimit të çmimit”. MKRS-ja kishte përllogaritur që intervenimi për ta funksionalizuar të mos shkonte mbi 4 mijë euro. Ka pranuar dy oferta: njëra në vlerë prej 3 mijë e 100 eurosh dhe tjetra në vlerë prej 2 mijë e 832 euro. Institucioni më i lartë kulturor në vend është përcaktuar për të dytën.