Kulturë

Kinematografia e Kosovës me përfaqësim të trefishtë në Trieste

Skena nga “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Vera andrron detin”

Janë ditët e para të janarit dhe filmat nga Kosova veç kanë nisur që të mbushin agjendat e tyre për këtë vit. Tre filma janë pjesë e edicionit të sivjetmë të Festivalit të Filmit në Trieste. “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës janë në garë për filmin më të mirë të gjatë, kurse “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, shkon si mysafire nderi

I themeluar natën e rënies se Murit të Berlinit, Festivali i Filmit në Trieste është një nga ngjarjet kryesore italiane që i dedikohet kinemasë së Evropës Qendrore dhe Lindore. Për më shumë se 30 vjet në fokus ka promovimin e kinemasë dhe të vendeve e regjisorëve që shpesh janë më pak të njohur për Italinë dhe për audiencën perëndimore në përgjithësi. Këtë vit, ky festival do të ketë një pasqyrë goxha të qartë edhe të kinematografisë së Kosovës.

Në edicionin e 33-të, që mbahet prej 21 deri më 30 janar, do të shfaqen tre filma nga Kosova. “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës janë në garë për filmin më të mirë të gjatë, kurse “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, është jashtë gare.