Kulturë

Restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut, inaugurohet me ceremoni fetare e muzikë turke

Në një skenë gjigande të çuar në këmbë afër xhamisë në sheshin “Skënderbej”, me ceremoni pothuajse krejt fetare presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të shoqëruar nga ekipet e tyre qeveritare ia kanë prerë shiritin investimit të bërë në restaurimin e xhamisë ikonike të Tiranës
 

Restaurimi i monumentit të kategorisë së parë ka përfunduar në tetor të vitit të kaluar pas një procesi dyvjeçar. Por me një alamet ceremonie, restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë është inauguruar të hënën mbrëma.

Në një skenë gjigande të çuar në këmbë afër Xhamisë në sheshin “Skënderbej”, me ceremoni fetare presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të shoqëruar nga ekipet e tyre qeveritare ia kanë prerë shiritin investimit të bërë në restaurimin e Xhamisë ikonike të Tiranës. Presidenti turk – që ka qëndruar në Shqipëri në kuadër të vizitës njëditore – e ka nisur fjalimin e tij me lutje fetare. Përballë turmës që mbante në duar flamuj të Turqisë, afishe me mbishkrime mirëseardhjeje për Erdoganin e fotografi të tij, ka thënë se është duke u promovuar një nga veprat më madhështore në qendër të Tiranës me financim nga Turqia.