Kulturë

Bylisi antik i ilirëve drejt digjitalizimit

Bylisi ruan gjurmët e qytetit themeluar në vitet e para të shekullit IV para erës sonë, një prej dëshmive më me peshë të qytetërimit ilir
 

Çështja e menaxhimit të qytetit antik Bylis, është bërë temë diskutimesh edhe në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë të enjten se “qyteti antik i Bylisit është një nga potencialet e fshehura të arkeologjisë, koha e ka ruajtur, e ka ruajtur besnikërisht edhe Ministria e Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë”.

Në fjalën e saj në Kuvend, duke replikuar me deputetin e Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, për planin e menaxhimit të këtij parku arkeologjik, Margariti citohet të ketë thënë se “që në fillim të hartimit të termave për të gjithë vizionin, të cilin Delegacioni Evropian ka pasur mirësinë dhe besimin për të shpenzuar një shifër prej 6 milionë eurosh, ka qenë një grup ekspertësh i Ministrisë së Kulturës, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që përbëhet nga dy departamente ai i Arkeologjisë dhe i Trashëgimisë, së bashku me Institutin e Arkeologjisë kanë hartuar të gjithë termat për garën ndërkombëtare që është zhvilluar për agjencinë ekzekutuese”.