Kulturë

“DokuFesti” për Pavarësi me tre dokumentarë mbi shtetformimin

Në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, “DokuFesti” transmeton tre dokumentarë dhe me këtë teston opsionin e transmetimit live të filmave në ueb-faqe. Drejtuesit e kësaj nisme janë të entuziazmuar që në këtë formë do të paraqesin tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtetformimit të Kosovës
 

Fabrika Digjitale e Filmit e “DokuFestit” për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës sjell programin me tre dokumentarë që transmetohen online. Njëherësh kjo do të jetë hera e parë që “DokuFest” teston opsionin e transmetimit live të filmave në ueb-faqe. Drejtuesit e kësaj nisme janë të entuziazmuar që në këtë formë do të paraqesin tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtetformimit të Kosovës.

“Këtë muaj livestreamin, të cilin kemi vendosur që secilin muaj ta kemi nga një livestream të shfaqjeve të filmave nga ueb-faqja e ‘DokuFestit’, pasi që në muajin shkurt dita më e rëndësishme për ne në Kosovë është Dita e Pavarësisë kemi vendosur ta kurojmë një program të filmave, të cilët kanë të bëjnë me identitetin, shtetësinë, shtetformimin e Kosovës dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës dhe nëpër të cilat kalon edhe sot”, ka thënë kreu i “DokuLab” në “DokuFest”, Eroll Bilibani.