Janë rreth 400 projekte artistike të trashëgimisë kulturore që presin mbështetje nga Ministria e Kulturës. Por, megjithëse thirrja është mbyllur me 22 prill, Ministria e Kulturës ende nuk ka një afat për publikimin e vlerësimeve.
Realisht në një konferencë për media, të hënën, pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pasur afat vetëm për nënshkrimin e një marrëveshjeje për kinematografi me Qeverinë e Francës. Marrëveshja për bashkëprodhime kinematografike me Francën do të nënshkruhet të shtunën në kuadër të Festivalit të Cannes.
Në konferencë, ministri Çeku ka folur për disa tema. Ka thënë se janë në vlerësim e sipër të aplikimeve për “Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2022 art dhe trashëgimi kulturore”.
“Janë 400 aplikime për 2.3 milionë euro”, ka thënë ministri Çeku, pa përmendur afatin se kur do të bëhen të ditura vlerësimet.
Sipas thirrjes, synimet janë që të rriten shumat përkrahëse, por të zvogëlohet numri i përfituesve. Skema e re e MKRS-së kishte pesë kategori, dhe mundësia e aplikimit është online nëpërmjet platformës “e-Kosova”. Ankesat publike për komplikimet gjatë aplikimeve kanë qenë të shumta.
Kategoritë e përfshira në këtë thirrje ndahen në: Mbështetje për zhvillimin organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore; Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore. Më pas: Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj dhe Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Sipas thirrjes, qëllimi është që të bëhet promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore, pastaj nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks te fëmijët dhe personat me aftësi të veçanta. Thirrja synon që të bëjë fuqizimin e koordinimit dhe të partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së personave të rinj që veprojnë në fushën e kulturës.
OJQ-të e profilizuara në fushën e artit dhe të trashëgimisë kulturore sipas kategorisë “Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro.
OJQ-të që hyjnë te kategoria “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 25 mijë deri në 35 mijë euro.
Ndërsa sa i përket kategorisë “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të aplikojnë OJQ-të dhe individët. Shuma e përkrahjes është nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.
“Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” është kategoria ku kanë aplikuar të rinjtë dhe shuma e përkrahjes do të jetë nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
OJQ-të dhe individët mund të aplikonin edhe në kategorinë e pestë “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ku shuma maksimale e përkrahjes shkon në 10 mijë euro.
Gjatë konferencës për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar inicimin e negocimit të marrëveshjes në fushën e arkivave me Qeverinë e Izraelit.
“Më konkretisht, një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arkivave mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe ‘Yad Vashem’ që është autoriteti i arkivave në Izrael”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit me shtetin e Izraelit dhe konkretisht në fushën e kulturës.
“Është vazhdimësi e marrëveshjeve që tash janë arritur. Para disa ditësh kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e bashkëpunimit kinematografik me Izraelit”, ka thënë Çeku.
Në këtë rast, për të satën herë me radhë ka përmendur se do të nënshkruhet po ashtu marrëveshje bashkëprodhimi në fushën e kinematografisë me Qeverinë e Republikës së Francës.
“Fuqizimi i bashkëpunimit bilateral në fushën e kulturës është një prej prioriteteve tona më të rëndësishme si MKRS dhe Qeveri”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar marrëveshje bashkëpunimi me disa shtete evropiane.
Ka folur shkurt edhe për teatrin e operës dhe baletit.
Në ditën e 28 të prillit, shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për teatrin e operës dhe baletit. Me këtë i kanë hapur rrugë rinisjes së procesit krejt të ri për investimin më të madh kapital që shteti synon në infrastrukturën kulturore. Duhet bërë studim fizibiliteti, detyrë projektuese, konkurs për projekt ideor, më pas atë detaj për të ardhur deri te nisja e punimeve. Në emër të atij që ndër vite quhej teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” kanë shkuar huq mbi 1 milion euro, dhe është shembulli i dështimit tash e gati 13 vjet. Të enjten janë lënë prapa themelet te Fakulteti Teknik, e krejt ato që lidheshin me këtë projekt.
Komuna ka vepruar kësisoj pas kërkesës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’i ndahet një hapësirë për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Të hënën ministri i Kulturës ka paralajmëruar konkurs ndërkombëtar për dizajnim.
“Ne si MKRS jemi në fazën e fundit të publikimit të konkursit ndërkombëtar për dizajnimin e teatrit të operës dhe baletit”, ka thënë ai pa dhënë ndonjë afat për hapjen e konkursit.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.
Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.
Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e patën mbyllur gropën e themeleve, e prej vitit të kaluar edhe MKRS-ja kishte hequr dorë nga lokacioni. Ajo hapësirë do të jetë kampus i ri universitar për universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.