Kulturë

Shteti hesht për kontrabandimin e artefakteve të Novobërdës në Beograd

Në Raportin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për rastin e kontrabandimit të artefakteve të Novobërdës në Beograd, njëri prej rekomandimeve është edhe ai që Ministria e Kulturës të iniciojë procedurë penale në organet e ndjekjes

Përderisa kontrabandimin e artefakteve nga Kalaja e Novobërdës ia ka konfirmuar edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës tash gati një muaj nuk ka bërë të ditur nëse ka marrë ndonjë veprim, përderisa në Raport i jepen disa rekomandime konkrete. Për ata që merren me trashëgimi kulturore, mosveprimi i MKRS-së është i pakuptueshëm

Ministria e Kulturës numëron 22 ditë prej kur edhe institucionet e veta ia kanë konfirmuar se nga Kalaja e Novobërdës materiali arkeologjik është kontrabanduar për në Beograd. Por institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka bërë asnjë hap zyrtar për të trajtuar këtë çështje. MKRS-ja nuk ka vepruar madje as në raport me revistën ku është publikuar studimi i autorëve serbë, që ka nxjerrë në pah trafikimin e materialit arkeologjik. Për ata që merren me trashëgimi kulturore mosveprimi i MKRS-së është i pakuptueshëm.

Pas raportimit të KOHËS në ditën e 28-të të marsit se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)” të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Por tash mungojnë veprimet.