Kulturë

Marrëveshja Kosovë-Francë në kinematografi, “moment krenarie” për Ministrinë

“Sot në Cannes kemi nënshkruar marrëveshjen për bashkëprodhim kinematografik mes dy shteteve. Moment krenarie. Urime komunitetit të filmit, suksese në realizime të përbashkëta filmike kosovaro-franceze”, ka qenë postimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shoqëruar me foto
 

Me pompozitet qe paralajmëruar disa herë nënshkrimi i marrëveshjes midis Kosovës e Francës në fushën e kinematografisë, por në ditën kur kjo është konkretizuar, Ministria e Kulturës është mjaftuar me nja gjashtë rreshta në rrjete sociale, një fotografi dhe asnjë detaj. Marrëveshja është nënshkruar në Cannes, aty ku po mbahet edicioni i 75-të i Festivalit prestigjioz të filmit.

“Ditë e shënuar për kulturën dhe filmin, konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore mes Kosovës dhe Francës. Sot në Cannes kemi nënshkruar marrëveshjen për bashkëprodhim kinematografik mes dy shteteve. Moment krenarie. Urime komunitetit të filmit, suksese në realizime të përbashkëta filmike kosovaro-franceze”, ka qenë postimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Deri në orët e para të së dielës, s’ka pasur ndonjë njoftim a komunikatë për media.