Kulturë

Alban Ukaj në Cannes

Nga e majta: Aktorja Mbundu Joely, regjisori Jean-Pierre Dardenne dhe aktori Alban Ukaj/Foto: AP
 

“Tori and Lokita” është dhënë sot premierë botërore në edicionin e 75-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Projekti filmik i maestrove Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, në të cilin luan edhe Alban Ukaj, është në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë”.

Aktori nga Kosova, bashkë me dyshen belge dhe ekipin e filmit, para ndezjes së projektorëve kanë parakaluar nëpër tapetin e kuq, të atij që njihet si “festival i festivaleve”.

Vëllezërit Dardenne janë emra të shquar edhe në Cannes, por ky festival nuk është i panjohur as për Alban Ukajn. Në ngjarjen e madhe ai kthehet pas 13 vjetësh, kur qe aty si pjesë e kastës së aktorëve në filmin “Heshtja e Lornës”, ku luan edhe Arta Dobroshi.

“Tori and Lokita” nxjerr në pah miqësinë që bashkon dy të rinj që kanë udhëtuar vetëm nga Afrika dhe e gjejnë veten duke u përballur me kushtet mizore të mërgimit të tyre në Belgjikë.