Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!”: Kosova me art, Serbia me alarme bombash

Ceremonia e hapjes së “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, të enjten pasdite, është ndërprerë nga alarmi për bombë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor
 
Ky tekst është Premium por sot mund ta lexoni pa pagesë!

Serbia s’ka bërë asnjë hap për ta ndryshuar qasjen ndaj Kosovës e një gjë e tillë sa vjen e konfirmohet përvitshëm, qoftë edhe me një festival ngjarjesh kulturore. Dikur protesta, ku haptazi bëheshin thirrje për vrasje shqiptarësh, tash radikalët serbë kanë ndryshuar strategjinë – alarmojnë me bomba. Ceremonia e “Mirëdita, dobar dan!” është prerë në gjysmë pas një alarmi të tillë që, sipas organizatorëve, do të duhej të ishte në fakt alarm për shoqërinë serbe dhe jo vetëm. Në Serbi e në vende të rajonit – përfshirë edhe Kosovën – tash e një kohë vijnë alarme të tilla, por këto të dy ditëve të fundit “shënjestërojnë” festivalin

“Shumëçka ka ndodhur për këta nëntë vjet në botë, por pak kanë ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi…”, ka qenë duke thënë Kushtrim Koliqi përderisa fjalimi i është ndërprerë nga një ndërhyrje që sikur ka vërtetuar fjalinë e tij. Organizatorët e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” midis ceremonisë hapëse në mbrëmjen e së enjtes, publikut i janë drejtuar me urdhrin që ka arritur nga Policia: Hapësirat e Qendrës për Dekontaminim Kulturor duhet të zbrazen pasi ka alarm për bombë.

Situata ka bërë që ceremonia e hapjes së edicionit të nëntë të festivalit të ndërpritet. Pas pak minutash hapësira është kontrolluar nga një njësit për çminim i përbërë nga dy policë dhe një qen. Pas nja 25 minutave është konfirmuar se alarmi ishte i rrejshëm.