Kulturë

Delegacioni i Akademisë Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar viziton “Shotën”

 

Me program të veçantë artistik e ka pritur “Shota” një delegacion të Akademisë Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar, i cili ka vizituar Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, njëri prej institucioneve më me traditë në Kosovë. Delegacioni është kryesuar nga admirali Richard Anthony Murrison, teksa është shoqëruar edhe nga pjesëtarë të stafit të Ambasadës së Britanisë në Kosovë. Për vizitën e së mërkurës, “Shota” ka dhënë detaje nëpërmjet komunikatës për media të enjten. Delegacioni është pritur nga drejtori i “Shotës”, Shefqet Gjocaj, i cili, i ka njoftuar me historikun e Ansamblit dhe rolin që ka në ruajtjen, kultivimin dhe prezantimin e pasurisë shpirtërore dhe kombëtare.

“Ne jemi të nderuar me vizitën e dytë të Akademisë Mbretërore këtu, pas asaj të vitit 2016 dhe është kënaqësi e veçantë për pjesëtarët e Ansamblit tonë, që të ju mirëpresim dhe të shfaqim një program artistik për ju”, citohet të ketë thënë Gjocaj në takim me delegacionin i cili, sipas komunikatës, kishte vijues të Akademisë mbretërore përfaqësues të shumë shteteve të botës, si SHBA-ja, Japonia, Arabia Saudite, Omani, India, Pakistani, Zelanda e re, Izraeli dhe Mongolia. “Shota” kulturën e Kosovës si dhe kushtet e funksionimit dhe prezantimit të Ansamblit jashtë Kosovës, kanë qenë disa prej temave që janë diskutuar në takim.