Kulturë

Prishtina dhe Prizreni synojnë krijimin e vlerave shoqërore

Në diskutimin lidhur me të ardhmen e qyteteve, të organizuar nga “DokuFest”, udhëheqësit e dy komunave më të mëdha, përkatësisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ai i Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë theksuar se planifikimi i mirëfilltë mundëson krijimin e këtyre vlerave, me ç’rast kontributi i shoqërisë civile është i domosdoshëm
 

Qytetet e Kosovës përballen me probleme të shumta. Zhvillimi i hovshëm pas luftës nuk është se i ka zgjidhur ato. Madje, rrezikon që një ditë t’i “mbytë” ato, nëse nuk ndërmerren veprime për krijimin e vlerave shoqërore në këto vendbanime, është thënë gjatë një diskutimi për të ardhmen e qyteteve të organizuar nga “DokuFest”. Ky debat është nxitur nga dokumentari “The Human Scale” i regjisorit Andreas Dalsgaard, i cili paraqet megaqytetet bashkë me problemet ekzistuese, zgjidhjet dhe mundësitë në to

Programet e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se gjysma e popullatës së botës jetojnë në qytete dhe se parashikimet janë që ky numër të shkojë deri në dy të tretat në vitin 2050, prandaj dhe konsiderohen si çështje qendrore në aspektin e zhvillimit të qëndrueshëm, prandaj parakusht për këtë konsiderohet planifikimi i mirë me qasje gjithëpërfshirëse.

Sfidat e urbanizimit global, përkatësisht të jetës në megaqytete bashkë me problemet ekzistuese, zgjidhjet dhe mundësitë shpalosen në dokumentarin e titulluar “The Human Scale”, të regjisorit Andreas Dalsgaard. Ky film është shfaqur të premten mbrëma në “DokuKino-Plato” në Prizren, si përpjekje e “DokuFestit” për të nxitur diskutimin për të ardhmen e qyteteve të Kosovës.