Kulturë

“Palma e Artë” për “Triangle of Sadness”, “Tori and Lokita” me Alban Ukajn merr Çmim Special të Cannes së 75-të

Regjisori Ruben Ostlund me “Triangle of Sadness” të shtunën mbrëma ka marrë “Palmën e Artë”, e cila është e dyta për të
 

Ashtu si nisi, edhe përfundoi: me glamur e me festë për fuqinë e kinemasë. Satira e zhurmshme për kapitalizmin modern mori çmimin kryesor, e ajo ai që pati peshë edhe për Kosovën, “Tori and Lokita” me Alban Ukajn mori Çmimin Special të 75-vjetorit të Festivalit të Filmit në Cannes. Për rreth 90 minuta në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u rikonfirmua edhe një herë se theksi në Cannes mbetet te vetë filmat, jo te cirku shoqërues. Edicioni i 75-të, sipas kritikëve, edhe këtë vit ka ruajtur ashpër ndjenjën e vazhdimësisë historike dhe qendrës së tij në botën globale të filmit. Filmat vijnë dhe shkojnë, por Cannes mbetet e përjetshme – ose kjo është ideja

“Triangle of Sadness” i Ruben Ostlund, një satirë e gjerë dhe e zhurmshme mbi kapitalizmin modern, ka marrë “Palmën e Artë” për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit të Cannes. Kjo është “Palma...” e dytë për Ostlund, pas asaj që mori me filmin “The Square” në vitin 2017. “Trekëndëshi i trishtimit” qe në garë me 20 filma, në mesin e të cilëve edhe “Tori and Lokita” i vëllezërve Dardenne, e në të cilin luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj. Por megjithëkëtë drama për emigrantët nuk mbeti pa trofe: mori Çmimin Special të 75-vjetorit të Festivalit të Filmit në Cannes.

“Grand Prix”, çmimi me peshë pas “Palmës i Artë”, u nda midis Claire Denis për “Stars at noon”, një dramë erotike me ngjyrime politike të vendosura në Nikaraguan moderne, me Margaret Qualley dhe Joe Alwyn në role kryesore dhe për “Close”, një histori e moshës madhore nga regjisori belg, Lukas Dhont, i frymëzuar nga jeta e vetë regjisorit për dy djem 13-vjeçarë, miqësia intime e të cilëve vihet në provë nga fillimi i pubertetit.