Kulturë

Ministri i Kulturës i befasuar nga zhvendosja e “Sunny Hillit” në Tiranë

 

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka qenë në koncert kur një alamet festivali është zhvendosur prej Prishtinës në Tiranë e shpejt kanë shpërthyer akuzat për politizim të krejt kësaj situate. Pasi ka dëgjuar muzikë në gala-koncertin e Platformës për Kulturës të Evropës Qendrore dhe Ambasadës së Hungarisë në Kosovë, mbi dy orë pasi është konfirmuar zhvendosja, ka thënë të jetë befasuar nga ky lajm.

“Hera e parë që po e dëgjoj tash nga ju sepse koncerti zgjati afër dy orë, para kësaj s'e kisha këtë informacion. Do ta analizojmë këtë çështje dhe besoj që pas asaj do ta formojmë edhe qëndrimin tonë por në këtë moment, pasi që më erdhi si befasi informacioni, nuk mund të kem ndonjë deklaratë”, ka thënë ministri Çeku për KOHËN, pas koncertit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. “Edhe një herë po ju them unë nuk e kam informacionin, duhet të dëgjoj deklarimin zyrtar të ‘Sunny Hill’, arsyet dhe nëse një gjë e tillë është tashmë e konfirmuar ose jo”.