Kulturë

Politika me “Sunny Hill” në ditën e tretë të “festivalit” të akuzave

Të enjten, për rastin e “Sunny Hillit”, Përparim Rama ka dalë në konferencë për media. Fill pas tij edhe asamblistët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal, Nora Kelmendi dhe Gëzim Sveçla
 
Ky tekst është Premium por sot mund ta lexoni pa pagesë!

“Arsyeja përse ky festival sot është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë”, ka thënë prerazi të enjten në konferencë për media kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ka qenë 99-vjetëshi për tokën në Bërnicë, që deri tash përmendet si arsye kryesore e ikjes së “Sunny Hillit” në Tiranë. Por Rama ka thënë se me kontratë e kanë pasur “që çdo tri vjet të rishikohet kontrata”. Pas konferencës së tij, një tjetër e kanë mbajtur edhe anëtarët e VV-së. Asamblistët, Nora Kelmendi e Gëzim Sveçla, kanë akuzuar Komunën si përgjegjëse për mosmbajtjen e Festivalit

S’kanë mbetur as 50 ditë deri te edicioni i tretë i festivalit “Sunny Hill”, tash në Tiranë, ndërkaq në Prishtinë, përplasjet e politikës kanë hyrë në ditën e tretë. Tashmë, në skenën politike vendore ka nisur “festivali” i akuzave midis institucioneve sa i përket zhvendosjes së ngjarjes muzikore.

Për Komunën e Prishtinës është Qeveria ajo që ka zvarritur procesin dhe ka ndikuar direkt që kryeqyteti sivjet të mos jetë nikoqir i “Sunny Hill Festival”. E një orë pas ekzekutivit komunal, në “skenën” e akuzave kanë dalë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje për të treguar se “përgjegjës për zhvendosjen e Festivalit është ekzekutivi i Komunës”. Ndër të tjera, si një ndër shkaqet kryesore për zhvendosje u bënë 17 hektarët në Bërnicë të Poshtme, të cilat “Sunny Hillit” do t’i jepeshin në shfrytëzim për 99 vjet.