Kulturë

“Dhembje e heshtur” rikthen përjetimet e luftës

Duke filluar nga “Plagë të fshehura”, ashtu siç titullohej njëri nga vizatimet, për të vazhduar më pas te “Nata e bombardimeve”, “Copëz historie”, “Shtatzënë, 1999”, “Lulet e shpresës”, e shumë piktura të tjera, ato arrijnë të përçojnë ngjarje e histori të cilat të kombinuara me tekste ua japin vizitorëve një pasqyrim të asaj që ka ndodhur në Kosovën e viteve ‘90
 

“Dhembje e heshtur” është titulluar ekspozita e gjashtë e realizuar nga organizata joqeveritare “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimit të Paqes”. Autorët e kësaj ekspozite janë pjesëtaret e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën” dhe veprat artistike të tyre përmbajnë copëza historie të përjetimeve në luftën e Kosovës, të cilat zunë vend dhe u ekspozuan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Poshtë pikturave qëndrojnë tekste shpjeguese. Janë 16 tablo të punuara nga të rinj që nuk e kanë artin profesion dhe përmbajnë emra njerëzish e vendesh dhe historinë e tyre. Shpalosja e këtyre ngjarjeve në këtë formë, erdhi si nismë e organizatoreve dhe pjesëmarrësve të APN-së. Synimi është që kujtimet po ashtu të rikthehen në formën e një libri.