Kulturë

Xhevdet Bajraj – poeti i vargut për atdhe e krijuesi frymëzues

Të enjten hiri i poetit Xhevdet Bajraj në qytetin e tij të lindjes në Rahovec. Më shumë se nëpërmjet fjalëve, Bajraj gjatë gjithë ditës u kujtua nëpërmjet poezive (Foto: Shqipron Berisha)

Thoshte se me varg mbrohej nga jeta. E gjatë gjithë jetës së tij vargjet e shoqëruan gjithandej, në vendlindje, si refugjat e deri në ditët e fundit të jetës në Meksikë. Vargjet e tij vazhdimisht janë lidhur me vendlindjen, Rahovecin. Pikërisht në këtë qytet të enjten edhe i është dhënë lamtumira Xhevdet Bajrajt. Pas varrimit të hirit të tij, Bajraj është kujtuar në një prej kafeneve të qytetit. Miqtë e tij kanë lexuar poezitë e kanë pirë nga një teke raki siç bënin edhe me Bajrajn kur gjatë verës kalonte pushimet në Kosovë

Në Rahovec, kur ke për të biseduar ndonjë gjë me rëndësi me ndonjë mik apo thjesht të thërret dikush për ta vrarë kohën për pikë të qejfit, kafenetë janë të shenjta për këtë punë. Pak a shumë, kështu thoshte poeti Xhevdet Bajraj në poezinë e tij në kopertinën e librit “Burri që lozte me engjëj”. Pikërisht në vendin e tij të shenjtë, në një prej kafeneve të Rahovecit poeti që vdiq larg vendlindjes u kujtua me poezi, muzikë verë e raki.

Qirinj me ngjyrë të kuqe, rrethuar me një gjethe rrushi u ndezën në çdo tavolinë të kafenesë në kujtim të poetit Xhevdet Bajraj që vdiq më 22 qershor në moshën 62-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Hiri i tij pas kremimit në Meksikë u varros të enjten pasdite në qytetin e të lindjes në Rahovec. Më shumë se nëpërmjet fjalëve, Bajraj gjatë gjithë ditës u kujtua nëpërmjet poezive. Ashtu u kujtua në mbledhjen komemorative që u mbajt në shtëpinë e kulturës në Rahovec. Me poezi u fol edhe në kafenenë “Hardhia” në këtë qytet. Vargjet e tij erdhën të interpretuara nga të pranishmit, me emocionet e kujtimit për poetin. Kishin qenë pikërisht njerëzit e vendit të tij, Rahovecit personazhe kryesore të poezisë.