Kulturë

“2055” parashikon ndryshimet klimatike nëpërmjet pikturave

Disa me printime digjitale dhe disa të pikturuara me brushë dhe ngjyra, pikturat e kësaj ekspozite paraqiten përmes akrobacioneve të ndryshme, të cilat paraqesin njeriun dhe jetën e tij herë në tokë e herë në univers
 

Në një stil bashkëkohor dhe në mbizotërimin e të verdhës dhe së kaltrës u hap ekspozita e artistes Erblina Karaliti në Shtëpinë e Evropës në kryeqytet. E titulluar “2055”, kjo ekspozitë ka si koncept ndryshimin e klimës, dhe me anë të saj është synuar të paraqitet bota e ardhshme, pikërisht ajo e vitit me të cilin është titulluar ekspozita.

Disa me printime digjitale dhe disa të pikturuara me brushë dhe ngjyra, pikturat e kësaj ekspozite paraqiten përmes akrobacioneve të ndryshme, të cilat paraqesin njeriun dhe jetën e tij herë në tokë e herë në univers. Pavarësisht se ku, ato paraqesin jetën e njerëzve në një kohë të ardhshme, në të cilën sipas autores më shumë do mbizotëroj e kaltra dhe e verdha, dhe shumë më pak hapësira që pasqyrojnë gjelbërim. Kjo ekspozitë në imagjinatën e autores shpërfaq atë që ndryshimi klimatik do të sjellë. Cikli i veprave ka nisur të punohet qysh nga karantina.