Kulturë

“Unë dhe Millosheviqi” me yjet e radhës, Baldwin impresionohet nga Kosova

Nga e djathta: aktorët, William Baldwin e Maria Gracia Cucinotta dhe regjisori Arben Kastrati
 

Aktori i shquar amerikan William Baldwin tashmë ka ardhur në Kosovë dhe në shesh xhirimi të filmit “Unë dhe Millosheviqi” është ish-kryeprokuror i Hagës. “Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tash them faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, ka thënë Baldwin në Prishtinë, ku ka folur edhe përtej filmit e rolit të tij. Pos tij, ylli i radhës në filmin e Arben Kastratit është edhe aktorja italiane Maria Grazia Cucinota

Në një nga hapësirat ku Prishtina shihet qartazi si në pëllëmbën e dorës dhe ku zhurmat dëgjohen nga rrugët me turma, deri në tarracën e hotelit, në qendër të Prishtinës, “Unë dhe Millosheviqi”, ka bërë bashkë edhe yje të Hollywoodit. Ylli i radhës: Willim Baldwin.

Me skenar dhe regji të Arben Kastratit, rrëfimi nxjerr në pah heroizmin e rremë të një protagonisti, i cili në Hagë takon Millosheviqin. Nëpërmjet thumbimit e ironisë së filmit mes dramës e komedisë, kryeprotagonisti përdor përballjen me ish-udhëheqësin e agresionit serb në Ballkan. Për jetësim të këtij rrëfimi, Kastrati kaherë ka përzgjedhur emra eminentë. Gérard Depardieu është vetëm njëri prej tyre. Destinacioni i parë me aktorin e njohur francez kanë qenë Gjirokastra e Tirana.