Kulturë

“Rame Lahaj International Opera Festival” – urë skenash, mundësi për të rinj

Me pesë koncerte ku në skenë ngjiten emra të njohur e me masterklase, “Rame Lahaj International Opera Festival” vjen me edicionin e dytë. Disa orë para koncertit hapës të enjten, në konferencë për media kjo ngjarje është cilësuar si unike në Kosovë me synimet për t’u bërë tradicionale/Foto: Driton Paçarada/KOHA
 

Duke sjellë emra të njohur në Kosovë nëpërmjet të cilëve artistët e rinj mund të zhvillohen dhe duke ua ofruar skenën ku ata mund të dalin në pah, “Rame Lahaj International Opera Festival”, vjen me edicionin e dytë. Kam dashur t’u paraprij dhe t’u dal borxh talenteve të rinj të cilët e kanë talentin, ashtu siç e kisha unë dikur, por mundësia për të lëvizur ka qenë e pamundur”, ka thënë tenori Ramë Lahaj

Festivali që synon të ndërtojë ura midis skenës së Kosovës dhe asaj ndërkombëtare me edicionin e dytë e hedh një hap drejt një kapitulli që synon traditën.

“Rame Lahaj International Opera Festival”, i pari i këtij lloji në rajon, edhe këtë vit ka për qëllim promovimin e artit të operës dhe të kulturës. Këtë synon ta bëjë duke sjellë emra të njohur në Kosovë nëpërmjet të cilëve artistët e rinj mund të zhvillohen dhe duke ua ofruar skenën ku ata mund të dalin në pah. Qysh në ditën e parë të rinjtë janë bërë pjesë e masterklaseve nga trajneri i zërit, Jean Bernard Thomas. E në program, “RLIOF” ka spikatur emra të dalluar vendorë e të huaj. Fokus të madh ka muzika shqiptare.