Kulturë

J Balvin në Kosovën e izoluar, thërret për ëndrra e shpresë

Motos për liberalizim vizash i është bashkuar edhe “Princi i Reggaetonit”. J Balvin ka qenë ylli i natës së dytë. Në performancën e tij, kolumbiani ka ngritur edhe flamurin e Kosovës (Foto: Sunny Hill)
 

Rreth një orë e gjysmë zgjati performanca e yllit latin të muzikës, J Balvin, në natën e dytë të edicionit të tretë të Festivalit “Sunny Hill”. Pos atmosferës elektrizuese, artisti nga Kolumbia bëri të ditur se ia di telashet Kosovës e pengesat qytetarëve të saj. “Çdo dritë është një tjetër ëndërr, një tjetër shpresë, një tjetër besim”, u shpreh ai për t’i bërë jehonë edhe më të madhe thirrjes nga Festivali, që shtetasit e Kosovës të lëvizin lirshëm

Pas koncertit spektakolar të Dua Lipës në natën e hapjes së “Sunny Hill Festival”, radha ishte që malet e Gërmisë t’u bënin nikoqirllëk tingujve të muzikës së një prej këngëtarëve më të mëdhenj latin. J Balvin nga Kolumbia ishte artisti kryesor në natën e dytë të Festivalit, të premten mbrëma. Motos për liberalizim vizash “Princi i Reggaetonit” ia shtoi edhe një krahasim tjetër.

Gjithçka nisi me numërim së prapthi kur kishte kaluar gjysmë ora e parë e 6 gushtit. Nga 10-shi deri në daljen e J Balvinit në skenë, atmosfera u elektrizua nën efektin e reflektorëve që ndriçonin çdo sekondë hapësirën në verilindjen e kryeqytetit.