Galeria dy vjet pa drejtor, konkursi i anuluar pa pasur konflikt interesi

Galeria Kombëtare e Kosovës në ditën e parë të gushtit ka mbushur dy vjet që është pa drejtor. Ministria e Kulturës për një kohë të gjatë nuk kishte hapur konkurs për këtë pozitë. Më pas, anulimi i konkursit e zvarritja e konkursit tjetër kanë bërë që institucioni ma i lartë i artit pamor në vend të ngelet pa udhëheqës.
Duke pretenduar për të qenë sa më të saktë, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës ia kanë huq kur kanë vendosur ta anulojnë konkursin për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në janar konkursi qe anuluar me pretendimin se mund të ketë konflikt interesi, dhe ish-drejtoresha e këtij institucioni, Arta Agani, nuk e mori pozitën edhe për një mandat. Galeria Kombëtare e Kosovës në ditën e parë të gushtit ka mbushur dy vjet që është pa drejtor. Ministria e Kulturës për një kohë të gjatë nuk kishte hapur konkurs për këtë pozitë
Galeria Kombëtare e Kosovës në ditën e parë të gushtit ka mbushur dy vjet që është pa drejtor. Ministria e Kulturës për një kohë të gjatë nuk kishte hapur konkurs për këtë pozitë. Më pas, anulimi i konkursit e zvarritja e konkursit tjetër kanë bërë që institucioni ma i lartë i artit pamor në vend të ngelet pa udhëheqës.
Duke pretenduar për të qenë sa më të saktë, zyrtarët e Ministrisë së Kulturë ia kanë huq kur kanë vendosur ta anulojnë konkursin për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në janar konkursi qe anuluar me pretendimin se mund të ketë konflikt interesi, dhe ish-drejtoresha e këtij institucioni, Arta Agani, nuk e mori pozitën edhe për një mandat. Pasi u vlerësua nga juria, MKRS-ja para se ta publikojë emrin e saj si kandidate fituese, vendosi të tjerrë procesin: konstatoi mundësi të konfliktit të interesit. Tash GKK-ja ka mbushur dy vjet që është pa drejtor.
Por Agjencia Kundër Korrupsionit, pas kërkesës së Aganit ka dalë me tjetër opinion. Nuk kishte konflikt interesi.
Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit të vitit të kaluar MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxhuese. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.
Pesëshja e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.
Këshilli që kryesohet nga piktorja Zake Prelvukaj, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani. Ia dha 84.52 pikë. E dyta doli Ermirë Krasniqi me 66.27 pikë.
Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe pas afatit të ankesave ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.
Agani nuk ishte prezantuar si kandidate e suksesshme. MKRS-ja dyshonte për konflikt interesi.
Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Më pas MKRS-ja e anuloi procedurën për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.
Por ndryshe konstatoi me një opinion AKK-ja, institucioni kompetent për telashe të tilla.
“Pjesëmarrja e znj. Zake Prelvukaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, në procesin e rekrutimit të drejtorit të GKK-së në të cilin kandidatja A.A. e rekomanduar për emërim ka qenë partnere e saj në një projekt sipas thirrjes së MKRS-së për ‘Pavijonin Kosovar të Bienales së Artit në Venecia 2022’, edhe pse mund të duket (konflikt në dukje i interesit) apriori nuk paraqet konflikt faktit të interesit”, shkruhet në opinionin e AKK-së.
Nëpërmjet një arsyetimi të gjatë tregohet se artistja Zake Prelvukaj e ka punë profesionale bashkëpunimin artistik siç ishte aplikimi për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia duke propozuar Arta Aganin si kuratore. Më pas arsyetohet se të qenit anëtare e Këshillit të GKK-së, Prelvukaj është detyruar të marrë pjesë në vlerësimet e kandidatëve për drejtor. AKK-ja, po ashtu, cek faktin se projekti i Prelvukajt nuk ishte përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Venecia. Opinioni sqaron se ishte zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi, ai i cili nëpërmjet një shkrese kishte kërkuar që të anulohej konkursi, pasi kishte analizuar situatën dhe kishte konstatuar se “për shkak se është e qartë se mund të interpretohen dhe të nxirren elementet e konfliktit të interesit në këtë çështje”.
Opinioni nxjerr se Bislimi ia ka huq krejtësisht. Por është Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit ai që në këtë proceduralisht i jep të drejtë Bislimit. Sipas opinionit të AKK-së në nenin 5 të Ligjit përcaktohet se “zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit, pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo në dukje”.
Opinioni i AKK-së nuk ka ndikim që ta bëjë MKRS-në ta ndalojë konkursin e dytë.
Agani pos AKK-së kishte dërguar dy kërkesa në Ministrinë e Kulturës dhe një ankesë po në këtë institucion. MKRS-ja e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e saj.
Sipas Komisionit të MKRS-së, zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së ka mandat ligjor për të parandaluar konfliktin e interesit. Në vendim është cituar komunikimi i zëvendësuesit të sekretarit me Divizionin e burimeve njerëzore.
“Një nga aplikuesit për pozitën e drejtorit të GKK-së ka qenë partnere në një projekt-propozim me të cilin kanë aplikuar në konkurs publik sipas thirrjes së MKRS-së, me një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të GKK-së”, shkruhet aty. Komisioni e ka marrë si të mirëqenë urdhëresën për anulim të konkursit. Sipas Komisionit, MKRS-ja në këtë rast nuk ka pasur nevojë e as detyrim ligjor që të kërkojë interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
E opinioni nuk e rrëzon poshtë këtë vendim të MKRS-së.
Zëvendësuesi i sekretariatit të përgjithshëm të MKRS-së ka thënë se konkursi i dytë do të vazhdojë.
“Opinioni tregon se nuk kishte konflikt interesi, por na jep të drejtë dhe realisht na detyron të veprojmë kur konflikti është i mundshëm. Pastaj vendimin e Komisionit të Ankesave vetëm një vendim i Gjykatës mund ta anulojë”, ka thënë Bislim Bislimi.
Në konkursin e mbyllur më 4 mars, për drejtor të GKK-së kanë konkurruar Arta Agani, Fehmi Hoxha e Refki Gollopeni. Që të tre i plotësonin kriteret e konkursit.
Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.
GKK-ja është bërë me Këshill të ri Drejtues qysh prej prillit të këtij viti.
Astrit Bytyqi, Linda Gusia, Nita Salihu-Hoxha, Renea Behluli, Somer Shpat, Sihana Xhaferi e Arlinda Hajrullahu kanë zëvendësuar përbërjen e Këshillit prej Zake Prelvukjat, Agim Salihut, Basri Mekollit, Blerta Syla-Surroit, Shyqri Nimanit, Vjosa Hamitit e Fatmir Hoxhajt.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.