Kulturë

Rita Ora: Ëndërroni dhe punoni për atë që e doni

“Ju jeni ende të rinj dhe duhet ta gjeni veten. Përdoreni instinktin, por bëhuni të mençur dhe duhet të keni vetëbesim”, ka thënë këngëtarja Rita Ora, e cila në janar do të publikojë albumin e ri. Ajo ka thënë se të rinjtë lexojnë libra. Shikojnë gjëra të ndryshme dhe ëndërrojnë. “As unë kurrë nuk do ta ndal ëndërrimin”, ka thënë ajo
 

Dy ditë para se të ngjitet në skenë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, këngëtarja me nam botëror Rira Ora ka motivuar të rinjtë e Shqipërisë nëpërmjet rrëfimit të saj jetësor. Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, në një bashkëbisedim me nxënësit e liceut artistik “Jordan Misja”, ka bërë thirrje që të gjithë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë për to. E shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ajo ka thënë se në moshën 17-vjeçare ka bërë incizimin e parë, pasi më herët shkruante tekste për të tjerët.

“Nuk varet se çfarë moshe ke pasi gjithmonë ëndërron dhe punon. Unë jam ende fëmijë”, ka thënë ajo para sallës së mbushur përplot me nxënës të drejtimeve të ndryshme. Ora (30) e cila ka një karrierë të bujshme edhe në botën e kinematografisë ka udhëzuar talentët e rinj që duhet të përcaktohen dhe ta dinë vërtet se çfarë duan nga jeta.