Kulturë

Platforma Digjitale – dokumentim i Qendrës Historike të Prizrenit

Platforma Digjitale e Qendrës Historike të Prizrenit është bazë e të dhënave online, ku paraqiten të gjitha strukturat, përfshirë shtëpitë, monumentet, objektet fetare, urat e të tjera, me informatat e nevojshme, si statusi ligjor, koha e ndërtimit, etazhiteti, gjendja fizike, pastaj shfrytëzimi, vlerat që posedojnë dhe harmonia me kontekstin historik
 

“EC Ma Ndryshe” në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kanë lansuar Platformën Digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit. Sipas bartësve të këtij projekti, qëllimi i kësaj platforme është dokumentimi e krijimi i një baze të të dhënave mbi gjendjen ekzistuese të kësaj zone të mbrojtur, duke ofruar një mjet praktik për transparencë dhe llogaridhënie

Platforma Digjitale e Qendrës Historike të Prizrenit e krijuar nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore është publikuar të premten, me synimin për mbrojtjen e promovimin e kësaj zone.

Aktivistët e shoqërisë civile dhe zyrtarët institucionalë kanë sqaruar se bëhet fjalë për një bazë të të dhënave online, ku paraqiten të gjitha strukturat, përfshirë shtëpitë, monumentet, objektet fetare, urat e të tjera, me informatat e nevojshme, si statusi ligjor, koha e ndërtimit, etazhiteti, gjendja fizike, pastaj shfrytëzimi, vlerat që posedojnë dhe harmonia me kontekstin historik.