Kulturë

Ganimet Vendresha – primadona e baletit shqiptar, sinonim i elegancës

Ganimet Vendresha do të kthehej nga Bashkimi Sovjetik për t’u bërë balerina e parë dhe ndër themelueset e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Më pas kulmoi si soliste e pedagoge që do të merrte krejt titujt e mundshëm shtetërorë
 

Si primadonë e baletit, Ganimet Vendresha është kujtuar edhe të enjten kur është dhënë lajmi për vdekjen e saj. Ajo ishte 88-vjeçe. Kontributi i saj prej balerine e koreografeje nuk do të ndalej vetëm në Shqipëri. Për disa muaj do të punonte edhe në Kosovë duke përgatitur Trupën e Baletit për shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Në skenë qe përherë artistja elegante që la vulë në historinë e artit

Kur pas Luftës së Dytë Botërore shteti shqiptar po synonte që të përgatiste kuadro për fusha të ndryshme, nuk ishte aq e lehtë që të gjendeshin vajza që synonin të merreshin me art. E sidomos me balet, një fushë gati e panjohur asokohe. Një e re që kishte përfunduar mësimet për piano, në atë që dikur ishte shkolla artistike “Jordan Misja”, kishte “thyer akullin”.

Ganimet Vendresha kishte pranuar që të shkonte në ish-Bashkimin Sovjetik për t’u bërë balerinë. Do të kthehej për t’u bërë balerina e parë dhe ndër themelueset e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Më pas kulmoi si soliste e pedagoge që do të merrte krejt titujt e mundshëm shtetërorë.