Kulturë

Severine Sierens nga Belgjika sjell në Prishtinë thellësinë e tingujve të klarinetës

Koncerti i klarinetistes Severine Sierens, shoqëruar në skenë edhe nga pianistja Lirika Pula dhe klarinetisti Lundrim Rexha, ka hapur edicionin e parë të Bienales së Klarinetave në Prishtinë, “Clarinet Podium”, e cila pos që pasuron kalendarin kulturor synon edhe ngritjen e nivelit të instrumentistëve në vend, duke sjellë bashkëpunime e përvoja të ndryshme

“Clarinet Podium” quhet bienalja e klarinetave në Prishtinë dhe me koncertin që ka nisur rrugëtimin e kësaj ngjarjeje për kryepersonazhe ka pasur klarinetisten belge, Severine Sierens. Mjeshtërisht ka zbërthyer rrëfime nëpërmjet instrumentit e në këtë debutim në Kosovë në harmoni i janë bashkuar edhe Lirika Pula në piano e Lundrim Rexha në klarinetë

Zotërimi i instrumentit është shenja e parë dalluese e Severine Sierens nga Belgjika. Nëpërmjet klarinetës ajo shpalos rrëfime, komunikon me publikun. Kur në skenë i bashkohen edhe kolegët, dialogu midis tyre sa vjen e intensifikohet. Shëtitja nëpër epoka të ndryshme bëhet me elegancë përderisa stilet e teknikat i ndihmojnë ta ndajë me publikun mjeshtërinë e saj.

Sierens ka qenë mysafirja e nderit e edicionit të parë të Bienales së Klarinetave në Prishtinë “Clarinet Podium”. Koncerti i saj të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës e ka hapur këtë ngjarje, e cila pasuron skenën muzikore të vendit. Sierens nuk ka ardhur në Kosovë vetëm për koncertin, por edhe për ta ndarë përvojën e saj me profesionistë, kolegë të saj klarinetistë dhe këtë e ka bërë me punëtorinë që ka mbajtur. “Clarinet Podium” kësisoj nuk vjen vetëm si ngjarje që i shtohet kalendarit kulturor, por edhe si organizim që për synim ka edhe ngritjen e nivelit të instrumentistëve me bashkëpunime të tilla.