Kulturë

Festivali i Teatrove në Ferizaj, tradita 52-vjeçare në kapitull të ri

Teatri “Adriana”, nikoqir i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, i cili sonte hap edicionin e 52-të (Foto: Driton Paçarada)
 

Sikur Festivali i Teatrove në Ferizaj të ishte një shfaqje, ajo do t’i kishte plot 52 skena, shumë ngjarje, histori e traditë. Gjithë rrugëtimit kësaj radhe do t’i japin një kah krejtësisht tjetër. Edicioni i sivjetmë është gati për të rrugëtuar me më shumë risi. Përveç shfaqjeve të vendit e rajonit, “premierë” ka edhe “Retro Teatrin”, garën studentore e ndejat plot muzikë

Është prej festivaleve më të vjetra në vend. Madje edhe në rajon rrallë gjendet një organizim i tillë për teatrin, i cili i ka mbijetuar kohës. Vit pas viti ka bërë bashkë në një vend publik e artdashës.

I gjithë ky rrugëtim për 52 vjet vështirë se do të mund të imagjinohej në fillim, atëherë kur gjithçka nisi në vitin 1970. Nuk i ka dhënë nam veç Ferizajt si qytet. Mirëpo, është shtrirë shumë më gjerë se kaq dhe u ka bërë nikoqirllëk shfaqjeve nga vende të ndryshme jo vetëm vendore.