Kulturë

“Tipografia shqiptare 1555-1912” me historinë e tipshkronjave shqiptare

Vepra “Tipografia shqiptare 1555-1912” është promovuar të dielën në qendrën për kulturë alternative “Defy Them”, një nga ish-strehimoret e “Bregut të Diellit” në Prishtinë. Autori Yll Rugova ka sjellë historinë e tipografisë shqiptare duke zbardhur të dhëna që sipas të pranishmëve përbëjnë një vepër që u ka munguar studimeve të këtij lloji
 

Tipografi e dizajneri Yll Rugova ka rrumbullakuar studimin e tij mbi historinë e shtypshkrimit, alfabeteve dhe tipshkronajve shqiptare nga viti 1555 deri më 1912. Vepra e tij “Tipografia shqiptare 1555-1912” është promovuar të dielën në qendrën për kulturë alternative “Defy Them”, një nga ish-strehimoret e “Bregut të Diellit” në Prishtinë. Autori ka sjellë historinë e tipografisë shqiptare duke zbardhur të dhëna që sipas të pranishmëve përbëjnë një vepër që u ka munguar studimeve të këtij lloji. Kërkimet e tij, interpretimet bashkë me imazhet e ofruara në botim bëjnë që të krijohet një pasqyrë e thellë e evoluimit të tipshkronjave shqipe nga libri i parë i botuar në këtë gjuhë “Meshari” më 1555 nga Gjon Buzuku e deri në kohën kur Shqipëria shpalli mëvetësinë më 1912.

Historiani Jahja Drançolli ka thënë se kjo monografi e jashtëzakonshme dhe e rrallë për nga rezultatet e saj shkencore e kulturore është konceptuar në tri pjesë kryesore të radhitura kronologjikisht. Sipas tij, pjesa e parë ofron njoftime duke filluar me shtypshkronjat e para ndër shqiptarë, tipologjinë e shkrimeve dhe influencën nga gjuhët e tjera.