Kulturë

Seniha Spahiu – sinonim i përsosmërisë në edukim muzikor

“Unë shkoj plotësisht e qetë se kam lënë pasardhës në shumës të profesionit”, kishte thënë profesoresha Seniha Spahiu, e një përkufizim si ky është rikujtuar edhe të enjten në mbledhjen komemorative të enjten në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Spahiu vdiq të shtunën e 1 tetorit, në moshën 86-vjeçare (Foto: Fikret Ahmeti)
 

Si pedagoge e pazëvendësueshme, një prej kontribuueseve më të mëdha të zhvillimit të metodologjisë autoktone për edukimin muzikor në Kosovë, idhull për gjenerata të tëra, shembull që duhet të ndiqet e emër që nuk do të harrohet kurrë, është vlerësuar të enjten profesoresha Seniha Spahiu, në akademinë përkujtimore, organizuar nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës

Emri i saj u përmend si shembull i edukimit muzikor të disa gjeneratave. Gjithë jeta e saj ka qenë një përmbushje e idealit të mësimdhënies. Por, po në një trajtë e ka pasur edhe krijimtarinë muzikore. Secili nga bashkëpunëtorët e saj e ka kujtuar si njeri i përpiktë në profesion. Madje përveç që i takon brezit të parë të mësimdhënies në fushën muzikore në Kosovë, në të njëjtën kohë është ajo që i mbajti lart aspiratat e krijimit shqip në kohë lufte.

Më e rëndësishmja, pikërisht studentët e saj janë tashmë trashëgimtarë të mësimdhënies së muzikës. E vetë ajo sa ishte gjallë, për këtë kishte thënë se ndihej e përmbushur.