Kulturë

Udhëtim në të kaluarën komuniste dhe vendet sekrete të Shqipërisë

Alfred Diebold, ekonomist gjerman, autor, fotograf e kineast, 32 vjet pas rënies së regjimit komunist, në ekspozitën e tij “Remains of paranoia”, të hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në hollin e Kryeministrisë së Shqipërisë, sjell imazhe që e fusin publikun në botën paranojake të regjimit
 

Ekspozita “Remains of paranoia” e personalitetit poliedrik gjerman, Alfred Diebold, ka ngjallur interesin e vizitorëve të Tiranës. Ofron udhëtime nëpërmjet fotove në të shkuarën komuniste, në vende sekrete të Shqipërisë

(Deutsche Welle) – Avionë luftarakë gjuajtës, të fshehur në tunele brenda maleve, nëndetëse dhe anije të ndryshkura luftarake në bazat ushtarake detare të Pasha Limanit apo Porto Palermos, tanke kineze të ndryshkura, të braktisura në vende sekrete, të mbyllura deri më tani për publikun dhe disa qindra mijëra bunkerë të shpërndarë në të gjithë vendin.

Alfred Diebold i nxjerr në dritë të gjitha këto përmes dhjetëra fotografish, që të lënë pa fjalë me dëshmitë që sjellin tani, 32 vjet pas rënies së regjimit komunist, në ekspozitën e tij “Remains of paranoia” të hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në hollin e Kryeministrisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Tiranë.